March 14, 2025
Chicago 12, Melborne City, USA
Më të lexuara Opinione Risi

Epidemia e veseve

“Ato që dikur konsideroheshin vese, tani janë bërë mënyra të sjelljes së përditshme” – Seneka.

Veset, krahas virtyteve dhe në ndeshje me to, kanë ekzistuar dhe shoqëruar njerëzimin gjatë gjithë kohërave. Në njëfarë mënyre, veset janë “virtytet” e horrave. Në kohët tona, në kohët moderne të sundimit të mediave vizive dhe të shkruara, veset janë bërë më të stërholluara, më ngjitëse, të përhapura dhe më të guximshme, ngaqë i shiten njerëzimit si “virtyte” të modernitetit, “liri individuale”, madje si parime apo udhërrëfime për të tjerët, “të prapambeturit”, konservatorët etj.

Përpjekjet e pareshtura të bartësve dhe manifestuesve të veseve kanë synuar dhe synojnë që, nëse nuk arrijnë t’i shesin ato për virtyte, të paktën t’i reklamojnë si diçka të barabartë me virtytet, si sjellje dhe veprime që duhet të gëzojnë të drejtën e bashkëjetesës në shoqëri, prandaj edhe duhet të respektohen për shkak të “lirisë” së mendimit dhe veprimit.

Krahas shumë veseve që kanë kapluar shoqërinë shqiptare, po ndalem në pak raste domethënëse që “lulëzojnë” në ditët tona.

Banaliteti si art dhe liri fjale

Tashmë jemi bërë dëshmitarë të banalitetit të skajshëm të shumicës së emisioneve televizive (apo radiofonike) të karakterit humoristik apo edhe social. Arti, dhe jo vetëm, kërkon dhunti dhe mundime për të qenë i suksesshëm dhe i dobishëm.

Kur mungojnë dhuntitë dhe vullneti që puna të arrijë nivele të larta në art, letërsi, teatër, kinematografi etj., atëherë do t’i drejtohesh banalitetit si mjet shpëtimi dhe fitimi. “Arti” komercial nuk mund të jetë kurrë art i vërtetë, por shëmti e tij. Atje ku lufta kryesore bëhet për klikime (që sjellin reklama dhe, rrjedhimisht, fitime) as që mund të bëhet fjalë për art dhe krijimtari të vërtetë. Thjesht dhe vetëm merret banaliteti i rrugës dhe sillet në skenë.

Ato që, zakonisht, njerëzit vulgarë i tregojnë apo bisedojnë në grupe të vogla shoqërore, tani sillen në skenë dhe në ekranin e TV.

Një ish-aktor i njërit prej emisioneve televizive më banale, njëfarë A. Bogdo, ka filluar një emision individual në njërin prej kanaleve televizive dhe, për t’u bërë interesant, domethënë tërheqës dhe i ndjekur, përdor shprehje vulgare dhe fyerje që arrijnë deri atje sa të thotë se “motra e X e kryen atë punë me Y …”. Kur reagon personi i fyer dhe njerëz të tjerë, “filozofi” Bogdo hidhet përpjetë, i fyen ata si injorantë, plehra, pa moral etj. dhe pretendon se “ky është emisioni im dhe unë bëj çfarë të dua”.

Jo more! Nuk është e vërtetë se në “emisionin tënd” mund të bësh çfarë të duash as ti dhe as numri pafundësisht i madh i banalistëve televizivë që, për të shtuar sasinë e parave nëpër xhepat e tyre, nuk njohin kurrfarë virtyti, etike dhe, rrjedhimisht, as përgjegjësie përpara shoqërisë. Njeriu nuk mund “të bëjë çfarë të dojë”, madje as në shtëpinë e tij.

Kur dy apo më shumë individë bëhen pjesë e një bashkëjetese familjare, shoqërore, udhëtimi, pune apo shfaqjesh publike, fillojnë kufizimet. Së pari, janë kufizimet etike (prandaj ka edhe një institucion si AMA) dhe pastaj edhe ato ligjore.

Duke u hequr si shumë i ditur, Bogdo na citon Mark Tueinin, i cili paska thënë se “Na ka bekuar Zoti me tri gjëra: 1. Lirinë e Fjalës, 2. Lirinë e mendimit e të ndërgjegjes dhe 3. Kryqëzimin publik nëse përdor një nga dy të parat”. Jo vetëm konventat ndërkombëtare, por edhe praktikat e vendeve perëndimore e kanë përcaktuar qartë se liria e fjalës nuk mund të shkojë deri në cenimin e dinjitetit të tjetrit.

Ato që Bozgo, dhe të tjerë personazhe të vulgaritetit komercial mediatik, thotë në emisionin “e tij” fyejnë individin të cilit i drejtohen, por edhe shikuesit e TV-së që duan të rrisin fëmijë të shëndetshëm moralisht. Po të ecim me mentalitetin e këtij “artisti”, do të duhet që shoqëria njerëzore të shpallë të gabuar, non-grata dhe, madje, të dëmshme, krejt etikën njerëzore. Por, jo edhe “pak” kohë!

Krimi i vrasjes si “nder” shoqëror

Fatkeqësisht, krimet kanë marrë përpjesëtime të frikshme në larmi dhe rrezikshmëri. Pas vitit 1990 filluam të dëgjojmë për vrasës me pagesë, një lloj biznesi i shkallës më të lartë kriminale. Kohët e fundit kemi lexuar e dëgjuar edhe për fenomenin e “vrasjes si nder shoqëror”.

Nga përgjimet e individëve të arrestuar pas sjelljes nga Franca të transkriptimeve të bisedave në aplikacionin SKY-EEC, rezultonte se një person nga Shkodra i thoshte shokut të tij se “Po deshe, unë e vras X-in edhe falas, ta bëj si nder për ty. Nuk du gjë more burrë!”.

Tani, nga deklarimet e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani thuhet se “Për vrasjen e Elton Memalit nuk kam marrë asnjë lek, e kam kryer si nder ndaj shokut tim Laert Haxhiu”.

Rrëqethës ky mendim kriminal i mishëruar në marrjen e jetës së një njeriu. Sa larg ka shkuar guximi kriminal i individit të shoqërisë tonë! Çfarë motivi të habitshëm shfaq njeriu i depersonalizuar, e shet guximin kriminal si burrëri, si nder për shokun! Vesit i vishen petkat morale të “burrit”, të “nderit”, të “besës”, sepse bartësi i tij s’ka më ndjenja, s’ka turp, s’ka skrupuj. Ai shkon drejt humnerave antinjerëzore të paimagjinueshme.

Njerëzit “me emër”, ose VIP-at e sotëm

Kam besuar dhe besoj se një nga kriteret matës të moralit të një shoqërie është edhe fakti se cilët individë mban si modele për t’u ndjekur, domethënë cilat kategori shoqërore vlerëson, lartëson dhe përpiqet të imitojë. Nuk është gjë e panjohur se sot në Shqipëri, shumica e atyre që quhen VIP-a (person shumë i rëndësishëm!) janë individë pa kurrfarë skrupujsh moralë, me fare pak kulturë, por të pasuruar kryesisht nëpërmjet krimit dhe të trimëruar nga pandëshkueshmria që iu ofron pasuria e vënë në rrugë të paligjshme.

Nga bashkëpunimi i të penduarit Artan T. me drejtësinë del se një shtetas shqiptar me emrin Laert Haxhiu mund të jetë drejtues i një grupi kriminal, përgjegjës për shumë vrasje, armëmbajtje pa leje, trafik droge etj. Pas lajmeve të transmetuar nga masmedia, si dhe faktit që Haxhiu, përveç bashkëshortes kishte edhe një të dashur, babai i tij z. Qamil Haxhiu u tha mediave se “Kjo vajza (K. Gj.) mund të ketë dëshirë, si çdo vajzë, që të ketë një të dashur me emër, pompoz dhe të zgjuar, por Laerti është i martuar dhe me tre fëmijë. Kështu po shkatërroni një familje”.

Është e vërtetë se prindërit nuk mund të penalizohen për çfarë bëjnë fëmijët e tyre dhe se ka ndodhur shpesh që nga prindër dhe familje dinjitoze kanë dalë fëmijë të padenjë që kanë kryer krime. Mirëpo, jeta ka treguar se jo rrallë mendësia e prindërve dhe trajtimi që iu kanë bërë ata fëmijëve kanë ndikuar në përfundimin mos mëkeq të tyre.

Mbaj mend, para disa vitesh, se një qytetar pa mend në tryezën ku pinim kafe pohoi me krenari se “Djalit tim s’ia bën kush gëk as mëk”. E pashë me keqardhje dhe e pyeta me një farë mllefi: As ju si prind?! Ai e përcolli me buzëqeshje shpotinë time dhe heshti. Nuk kaluan shumë muaj dhe djali i tij u vra me armë zjarri në përleshje me një bandë tjetër.

Pohimet e Q. Haxhiut janë dëshmi e mendësisë së gabuar dhe mjaft të dëmshme të jo pak shqiptarëve që veset i vlerësojnë si virtyte, që famën e kërkojnë nëpërmjet sundimit kriminal të shoqërisë, që mospërfilljen shoqërore, morale dhe ligjore e konsiderojnë zotësi dhe zgjuarsi. Njerëzit normalë do të mund të pyesnin: Në çfarë fushe e ka dëshmuar “zgjuarsinë” deri sot Laert Haxhiu?! Për çfarë ka bërë emër ky qytetar i këtij vendi që të mbahet dhe shpallet “me emër”?! A e di babai i të akuzuarit nga drejtësia se pompoziteti nuk është virtyt, por ves dhe ka të bëjë me dëshirat dhe përpjekjet e individit për t’u dukur, për t’u bërë i bujshëm dhe lënë përshtypje si person që qëndron më lart se të tjerët dhe, prandaj, të tjerët duhet t’i nënshtrohen?!

X