Kur vinte re që po shihesha në pasqyrë, kur isha fëmijë, ajo mbulonte të gjitha pasqyrat e shtëpisë. Një kompliment i bukur ishte “ti ke karakter të mrekullueshëm”, dhe jo “ti je e bukur”.

 

Dhe karakteri, ndërtohej duke bërë punët e shtëpisë.

Kur nuk isha duke pastruar haurin, unë isha duke qethur delet, ndërruar gomat, pastruar tualetet, bërë punë vullnetare, pastruar dëborën. Cheryl besonte se puna, sidomos në shërbim të të tjerëve, ushqen vetëbesimin, diçka që na duhet gjithmonë e më shumë kur ekspozohemi në sytë e publikut.

Por, ndoshta mësimi më i rëndësishëm ishte: është jeta private, ajo që bën të ia vlejë të jetuarit e jetës publike. Cheryl, e dinte se, ndërkohë që fama vjen bashkë me shumë bekime, kishte gjithsesi një impakt dhe një kosto potenciale, të jetuarit e jetës tënde në publik. Dhe kështu, më shumë se çdo gjë, ajo, ashtu si gjyshërit e mi përpara saj, theksonte fort vlerën e privatësisë.

Sepse kultivimi i një jete private është diçka e çmuar. Është e shenjtë. Vlera e saj qëndron në atë që nuk ndan me të tjerët. Atë që mban. Dhe për kë e mban.

Bota është sot një qytet i madh e i vogël në të njëjtën kohë. Por, brenda atij sheshi virtual të këtij qyteti, ka shtresëzime marrëdhëniesh, ka shkallë intimiteti, dhe gjithësecili meriton një sasi të ndryshme të personit tënd, një anë të ndryshme.

Tani, se ku qëndrojnë ata kufij, kjo varet nga ti.

Por, që të marrim këto vendime, ne të gjithë duhet të jemi Cheryli i vetes sonë, duhet të jemi mbrojtës të vetes sonë. Sepse është tunduese të mendosh që, sa më shumë të ndaj me të tjerët nga jeta private, aq më shumë ata kanë rrugë për t’u lidhur me mua. Por, ka diçka speciale, kur di se çfarëdo që të jetë që unë ndaj me tim shoq, me fëmijët a me miqtë, është vetëm për ta dhe për askënd tjetër. Pa atë rreth të brendshëm, ne mbetemi me një cektësi dhe një boshllëk. Jemi të njohur, por nuk na njeh kush me të vërtetë, madje as vetja jonë.

Të jetuarit në publik kërkon prej nesh të jemi të guximshëm dhe të fortë, por ruajtja e jetës private na fuqizon për të pasur këto aftësi.

Kështu, kur im bir, 15 vjeç hapi një kanal në YouTube, dhe ime bijë 10 vjeçe kërkoi që të futej në TikTok, unë pyeta veten “çfarë do të bënte Cheryl?”

Sado që dua t’i mbroj fëmijët e mi, unë e di se përgjigja nuk është që t’i inkurajoj të rrinë larg këtyre. Pra, unë nuk i dua fëmijët në përleshjen e madhe digjitale, deri kur ata të dinë se kush janë. Por, njeriu e zhvillon sensin e vetes duke marrë pjesë në botë. Kështu që, unë përpiqem t’i mbroj të njohin veten, përmes këtyre teknologjive, jo duke mbetur jashtë tyre. Dhe i jap vetes sime, po atë mbrojtje dhe këshillë mëmësore, duke zbatuar dy parime kryesore.

Parimi i parë, vonesa dy ditore.

Çfarëdo që të jem duke përjetuar, unë përpiqem të pres 48 orë para se të postoj në rrjete sociale. Sepse në këtë mënyrë, unë mund të jem e pranishme në atë që po ndodh me njerëzit që dua, para se të filloj të llogaris se si do ta pozicionoj publikisht.

Parimi i dytë, posto me një qëllim.

Para se të ndaj diçka, unë pyes veten pse? Kush është qëllimi? Dhe më e rëndësishme, si u shërben postimi njerëzve që unë dua?

Rreziqet dhe shanset e të jetuarit të jetës në publik kanë ekzistuar shumë kohë më parë. Por, është e rëndësishme të dimë, atë që familja ime e dinte atëherë, dhe e di edhe sot. Se vlera jote e vërtetë, matet prej pasurisë së vlerave të jetës tënde private. Ajo copëz e jotja, që vetëm pak njerëz e njohin dhe kanë qasje.

Sepse trashëgimia që ne krijojmë privatësisht, është po aq e fuqishme dhe jetëgjatë, sa çdo vlerësim publik. Ndoshta edhe më shumë.

Bryce Dallas Howard: How to Preserve Your Private Life in the Age of Social Media | TED