Justin Timberlake po përballet me një padi të re nga një regjisor i cili thotë se ai u punësua për të xhiruar dhe montuar një dokumentar rreth albumit të tij të suksesshëm “The 20/20 Experience”.
Sipas dokumenteve ligjore të marra nga TMZ, John Urbano thotë se Timberlake i propozoi një marrëveshje në vitin 2012, ku ai do të ndante në fitimet nga filmi në vend që të paguhej një tarifë normale.
Por në vazhdën e suksesit masiv të albumit, i cili vazhdoi të bëhej albumi më i shitur i vitit, ylli i popit e anuloi projektin, duke e lënë Urbanon pa pagesë, me përjashtim të një tarife prej 20,000 dollarësh që ishte paguar paraprakisht.
Marrëveshja e portretizuar nga Urbano e lë atë pa pjesën më të madhe të pagesës për shërbimet e tij, për sa kohë që dokumentari mbetet i pa publikuar, shkruan DailyMail.
Urbano pretendon në dokumente se ai filmoi Timberlake për një total prej 60 ditësh në të gjithë botën, dhe më pas ai kaloi rreth 2,500 orë duke redaktuar pamjet që u titulluan “The Making Of The 20/20 Experience”.
Nëse regjisori do të ishte paguar në një mënyrë më tradicionale – ai thotë se tarifat për punën e tij të xhirimit dhe montazhit do të arrinin në rreth 2,450,000 dollarë.
Së bashku me pagesën prej 20,000 dollarësh që mori përpara, të vetmet para që ai ka parë nga Timberlake ishin rimbursimet për shpenzimet e bëra gjatë xhirimit.
Pasi ka përmbledhur numrat, Urbano pohon se është paguar ekuivalenti i vetëm 7 dollarëve në orë për projektin.
Fillimisht, Urbano tha se Timberlake dukej se ishte i interesuar për dokumentarin, por ndërsa albumi i tij vazhdoi të ngjitej në top lista dhe të bëhej më i suksesshëm, ylli i “SexyBack” duket se humbi interesin.