Kryetari i Kuvendit tregoi se ata janë të pakënaqur në lidhje me procesin gjyqësor.

“Vizitova Thaçin, Veselin, Krasniqi, Selimin dhe po ashtu Gucatin, Haradinaj dhe Shalën. Siç e dini për Salih Mustafën është një proces më i ndërlikuar, ai ka qenë në një izolim deri para një muaji. Të gjithë që i pash janë shumë mirë me shëndet, kanë vullnet dhe janë të qëndrueshëm. Shqetësimi i tyre është që po pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura, për të cilat nuk ka asnjë mekanizëm të ankesës”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo gjykatë është absolutiste dhe nën kontroll të askujt.

“Në këtë kuptim, ata janë të pakënaqur, siç është dhe populli i Kosovës, për aktakuzat që po rëndojnë mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së, të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë Konjufca”.

Ai tutje shtoi se kjo është një gjykatë që nuk haset askund në botë, siç potencoi ai është “sui generis”.

“Ishte një vizitë e rëndësishme dhe e domosdoshme sipas mendimit tim. Kuvendi ishte themelues i Gjykatës Speciale. Kjo është një gjykatë që nuk haset askund në botë, është sui generis. E kemi kritikuar dhe e kemi kundërshtuar, pasi qysh në pikënisje ka lind me një probleme që është kundërshtuar vazhdimisht. Kjo gjykatë është themeluar për krime të pretenduara të UÇK, kjo është një defekt i madh të cilin e kemi kritikuar vazhdimisht. Në Kosovë ka ndodhur gjenocid mbi popullin e pafajshëm. Mbi 11 mijë qytetarë të Kosovë janë vrarë në Kosovë. Rreth 20 mijë gra janë të dhunuara në Kosovë si dhe dëmet janë dhjetëra miliona…”, tha ndër të tjera Konjufca.