March 14, 2025
Chicago 12, Melborne City, USA
Opinione

Kurtulaj: Dikur para meje u prezantua si Abazi, para serbëve, ndryshoj stil, Abazoviç

Viliem Kurtulaj
Dritan Abazoviçin e kam taku për herë të parë në korrik të 2011 në Vuçje të Malit të Zi. Atë kohë, një organizatë malazeze e quajtur Alpha Centre organizonte për të disatën herë radhazi një kamp veror të quajtur “Regional Euro Atlantic Camp”.
Kishte pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë. Unë isha i vetmi pjesëmarrës nga Shqipëria. Në fakt, edhe pse aty kishte pjesëmarrës nga 12 shtete, ku çdo shtet kishte mesatarisht 4-6 persona, në total ishim vetëm tre shqiptarë, unë, një djalë nga Kosova dhe një tjetër nga Ulqini.
Nga Maqedonia e Veriut, atë kohë F.Y.R.O.M., kishte rreth 6-7 pjesëmarrës por asnjëri shqiptar.
Dritani ishte i ftuar për të folur në një nga panelet e organizuara aty. Në atë kohë, ai nuk ishte politikan por thjesht një studiues dhe pjesë e shoqërisë civile.
Pasi e marr vesh që kishte ardhë një shqiptar, e takoj dhe ulem me të në një nga tavolinat e bujtinës ku organizohej kampi.
Flasim një copë për herë për tema të ndryshme por pa u thelluar askund. Gjithsesi, tek ai vihej re lehtësisht një frymë kozmopolitanizmi e cila mund të shkonte deri në ksenofili. Mu prezantua me emrin Dritan Abazi dhe se ishte nga Ulqini.
Mbaj mend se më tha se kishte studiuar në Universitetin e Sarajevës.
Shqipen e fliste mirë por, dukshëm, jo aq mirë sa serbo-kroatishten. Më vonë, kur ishte koha e panelit ku do fliste, ai u prezantua me emrin Dritan Abazoviç. Madje, edhe letra mbi tryezë përpara tij shkruante “Dritan Abazović”.
Sigurisht që më bëri përshtypje ky detaj. Në mbrëmje, një djalë nga Maqedonia e Veriut, të cilit i kishte bërë përshtypje emri Dritan, më pyeti nëse ky Dritan Abazović ishte shqiptar. I thashë “po, është shqiptar nga Ulqini”. “Po si ka mundësi që është shqiptar dhe e ka mbiemrin me -vić në fund?”, më pyeti. I shpjegova shkurtimisht sesi shqiptarëve në Mal të Zi regjimi u kishte ndryshuar mbiemrat me një të rënë të lapsit. Faktikisht, habia e tij mu duk paksa e stisur pasi edhe në Maqedoninë e Veriut regjimet e mëparshme u kanë ndryshuar mbiemrat shumë shqiptarëve duke iu shtuar prapashtesën “-ski” në fund.
Pak muaj një vonë, në kuadër të një projekti gjatë studimeve të mia në Master, Dritanit i dërgoj një pyetësor që lidhej me situatën politike në Ballkan dhe gjendjen e minoriteteve, dhe i kërkoj nëse mund të më përgjigjej.

Pas disa ditësh, ma dërgoi pyetësorin e plotësuar. Shkurtimisht, ajo çka më ra në sy janë dy përgjigje të tij. I pyetur “A mendoni se kufijtë në Ballkan janë të vendosur drejtë?”, ndër të tjera Dritani përgjigjet: “Kufijtë në Ballkan janë vendos sipas mundësive. Dikush mendon se është e drejtë, dikush mendon se është bërë padrejtësi.

” Që atëherë, Dritan Abazoviç kishte një lloj tëhuajësimi prej të qenit shqiptar. Përgjigjja e tij do të ishte përgjigjja më e zakonshme e çdo ndërkombëtari që s’ka ndonjë lidhje personale me ndonjë vend të Ballkanit. Vështirë se mund të gjesh një shqiptar tjetër që të mos përgjigjet se kufijtë në Ballkan janë vendos padrejtësisht, pavarësisht qëndrimit të tij/saj për ndryshimin e kufijve sot. Në një pyetje tjetër:

“A mendoni se respektohen të drejtat e pakicave kombëtare dhe minoriteteve në Ballkan?”, ndër të tjera, Abazoviç përgjigjet se “Në shumë raste, përfaqësuesit e pakicave, për shkak të interesit personal të liderëve, janë në gjendje të bëjnë shumë veprime të gabuara dhe me ‘shit’ interesin kombëtar.” Sot, kur Dritan Abazoviç është vetë përfaqësues, madje kryeministër, nuk e di a do përgjigjej sërish në të njëjtën mënyrë.

Gjithsesi, vlen të theksohet se Dritani nuk e ka mohuar asnjëherë faktin se është shqiptar, por as nuk e ka theksuar. Pavarësish frymës kozmopolite, duket se përbrenda, sado pak, atë e vret fakti që nuk është plotësisht i lirë në shfaqjen e identitetit të tij.

Kjo duket sa herë Dritani prezantohet. Kur është me shqiptarë, ai gjithmonë i referohet vetes si Dritan Abazi, ndërsa kur është përpara malazezëve ose ndërkombëtarëve, vetes i referohet si Dritan Abazoviç. Fakti që Dritani ka vendosur të mos e rikthejë mbiemrin Abazi, procedurë shumë e lehtë prej vitesh në Mal të Zi, flet vetë për kompromisin që ai ka bërë me veten, kompromis pa të cilin, me shumë mundësi, nuk do kishte mundur të bëhej kryeministër i Malit të Zi.

X