Shkruan: Blerona Brao
Rritemi çdo ditë duke u përpjekur të jemi më të përsosur me mënyrën e rutinës, pastaj ndjejmë një ulje emocionale, ndjejmë se diçka përthyhet brenda vetvetes dhe hapat ngadalësohen drejt atij qëllimit të pastër, të ngritjes shpirtërore…
Më vonë kupton me doza të vogla se thjesht të duhet të luftosh vetëm në një kohë ku gjithsecili bëhet ferrë për tjetrin… Një mori mendimesh kaotike që qëndrojnë përpara meje dhe nuk e gjej atë fillin e duhur për t’i arsyetuar të tjerët, nuk jam kushedi se çfarë kritikuese,vetëm se qëndroj larg nga lojërat e maskave.
Nuk e di kujt pjese të njerëzve i takoj, veç e di dhe jam e bindur se kurrë nuk shkoj në një drejtim kah po shkon turma… Unë jam unë, me gjithë të metat që kam, njeriu që kërkon mbinjeriun në çdo formë të mundshme, edhe kur e di se një gjë e tillë nuk ekziston!
Mbështetur në izolimin e vetvetes, kërkoj të gjej çelësin për të dalur nga burgu i mendjes, “ndrysho rutinën” e vetmja gjë që më është fiksuar si mbetje prej kohësh, dhe sa më shumë e sforcojmë ndryshimin, shpesh ne pësojmë thyerjet që janë më të forta se vetë ndryshimi jonë…!