Prej kohësh Rikardi III ka qenë figurë intriguese – duke e frymëzuar dramën që mbetet një prej veprave më të interpretuara të Shekspirit (William Shakspeare), në skenë dhe në ekran. Inskenohet rregullisht në të dy anët e Atlantikut; është rol që është luajtur nga aktorë të famshëm, që nga Laurence Olivier deri te Denzel Washingtoni; me yllin e “Black Panther”-it, Danai Gurira, si figurën e fundit të profilit të lartë që ka marrë rol në skenën e Nju-Jorkut.
Sidoqoftë, në Mbretërinë e Bashkuar për momentin po zhvillohet një shfaqje që konsiderohet si pikë referimi në historinë e rolit: është hera e parë që Trupa 61-vjeçare “Royal Shakespeare” (RSC), në rolin kryesor në shfaqje e ka vënë një aktor me aftësi të kufizuara. Rikardi – paaftësia e të cilit nuk specifikohet, por përshkruhet në vepër si i çalë, me krah të tharë dhe si “gungaç” – është një nga personazhet më të famshme me aftësi të kufizuara në letërsi, por rrallëherë është luajtur nga aktorët me aftësi të kufizuara.
Arthur Hughes, i cili e luan Rikardin, deri tash ka qenë më i njohur për rolet e tij në radio-novelën jetëgjatë britanike “The Archers”, si dhe në serinë e Netflix-it, “The Innocents”. Ka lindur me displazi radiale, që preku krahun e tij të djathtë, dhe ai e njeh rëndësinë e zgjedhjes së tij: “Në botën anglishtfolëse, Rikardi është një nga personazhet më të famshme me aftësi të kufizuara”, tha ai për BBC. “Është nder ta luash atë në një nga skenat më të mëdha të Shekspirit në botë dhe të jesh njeri me aftësi të kufizuara që po e bën këtë. Është gjithashtu shenjë e mirë se ku po shkojmë”.
Teksa Hughes sjell në rol përvojën e jetuar, si pak aktorë para tij, ai është gjithashtu shumë i vetëdijshëm për rëndësinë më të gjerë bashkëkohore të shfaqjes. “Rikardi III është triler politik. Shekspiri i përdor tiranët, si Rikardi, për të komentuar për pushtetin; se si fuqia i tërheq njerëzit që nuk janë të përshtatshëm për ta përdorur atë. Sapo Rikardi e merr pushtetin që do, nuk e ka idenë se çfarë do të bëjë me të, sepse është kaq i papërshtatshëm për të udhëhequr – si shumë nga udhëheqësit tanë aktualë”, thotë ai. “Shumë nga diskutimet tona kanë qenë rreth asaj që po ndodh në Kryeministri, çfarë po ndodh në Kremlin. Për qarqet e mundësuesve dhe shfrytëzuesve që janë në çdo qeveri, në çdo sistem pushteti. Paranoja e Rikardit është goxha si e Putinit – ai pret besnikëri të padiskutuar, ndërsa nuk ia jep askujt tjetër atë”.
Kjo është, siç e sheh ai, ajo që na siguron se historia është akoma bindëse: “Është despot i ditëve moderne. Shfaqja mund të jetë shkruar qindra vjet më parë, por këta njerëz ende ekzistojnë. Ata janë më intriguesit, më vdekjeprurësit, dhe ne duam t’i shohim në skenë”, thotë ai.
Por, a e meriton Rikardi III reputacionin që Shekspiri ia ka krijuar? Përderisa Rikardi i Shekspirit është pa diskutim një kopuk, figura historike është më e kontestuar. Rikardi III ishte mbreti i fundit dinastisë Plantagenet, humbja e të cilit në vitin 1485, në Betejën e Bosuortit kundër njeriut që do të bëhet Henry VII, shënon fillimin e dinastisë Tudor. Por, si njeri që sundoi për vetëm dy vjet, u bë një nga monarkët më famëkeq – dhe më përçarës – të vendit!?
Ngjitja e Rikardit në fron – mbi pretendimet e mbretit Edward V që shkurt sundoi, të djalit të vëllait të tij të vdekur – është e mbuluar me pretendime. Duke shkruar për një monark Tudor dhe duke e bazuar materialin e vet në burimet e Tudorit, Shekspiri e përshkruan këtë si një udhëtim të përgjakshëm, të neveritshëm, me Rikardin që me gëzim e largon këdo që e ka në rrugën e vet. Kjo përfshin nipërit e vet të rinj, mbretin Edward V dhe vëllain e tij, “princat e famshëm në kullë” që dyshohet se Rikardi i kishte vrarë në Kullën e Londrës disa muaj pas vdekjes së vëllait të vet, Edward IV, në prill të vitit 1483. Por, ka një kohë që po bëhen përpjekjet për ta ndarë njeriun e vërtetë nga personazhi imagjinar.
Ekziston Shoqata “Rikardi III” që është e përkushtuar për rehabilitimin e reputacionit të tij, ndërsa roli i tij në vrasjen e djemve mbetet subjekt i debatit akademik dhe atij të përditshëm. Romani i vitit 1951 nga Josephine Tey, “Daughter of Time”, e paraqet një oficer të policisë moderne – inspektorin e Scotland Yard-it, Alan Grant – që i heton akuzat dhe shfajëson Rikardin; një gjyq i inskenuar televiziv i vitit 1984 në “Channel 4” të Mbretërisë së Bashkuar, e shpall atë si të pafajshëm. Derisa është e padiskutueshme se Rikardi e merr fronin mbi të drejtat e nipërve të vet – duke pretenduar se ishte e pavlefshme martesa e vëllait Edward me nënën e tyre, sepse Edwardi ishte martuar fshehurazi me një grua tjetër, duke i bërë kështu fëmijët të paligjshëm dhe të paaftë për trashëgimi – mbeten disa dilema mbi fatin e djemve. Projekti “Princat e Zhdukur”, i udhëhequr nga anëtarja e Shoqatës, Phillipa Langley – historiane amatore e cili gjithashtu porositi gërmimin për të gjetur eshtrat e Rikardit, të cilat u zbuluan nën një parking makinash në Lester në vitin 2012 – pretendon se ka gjetur prova që Edwardi V nuk u vra, porse është larguar me emër të ri. Megjithatë, edhe nëse e pranojmë fajin e Rikardit – bashkëpunëtori i Langleyt, Michael Jones, beson se Rikardi i vrau nipërit e vet – është e lehtë të vërtetohet se nuk është më i keq se monarkët tjerë të periudhës, një epokë kur vrasja e rivalëve të mundshëm – pavarësisht nga mosha apo nga pafajësia e tyre – thjesht ishte pragmatizëm i pamëshirshëm.
Nëse e vërteta e veprimeve të tij nuk mund të konstatohet përfundimisht, zbulimi i eshtrave dha informacion të vlefshëm për jetën e tij. Kërkimi për eshtrat zgjoi interesim të konsiderueshëm në mbarë botën dhe ishte subjekt i një dokumentari të vitit 2013 – “The King in The Carpark” – si dhe i filmit të ardhshëm nga Stephen Frears, “The Lost King”, me Steve Cooganin dhe Sally Hawkinsin që do të dalë në këtë vjeshtë. Kjo gjithashtu hodhi dritë mbi saktësinë e përshkrimeve historike të Rikardit, si njeri.
“Zbulimi i trupit të Rikardit III, pa mëdyshje tregoi se ishte me të vërtetë me aftësi shumë të kufizuara“, thotë Dr. José A Pérez Díez, ligjërues i Dramës së Hershme Moderne në Shkollën e Anglishtes në Universitetin e Lidsit dhe zëvendës-bashkëkryetar i Shoqatës Britanike të Shekspirit. “Skolioza e tij e theksuar duhet të ketë ndikuar mjaft në lëvizshmërinë dhe në qëndrimin e tij fizik. Megjithatë, ishte mbreti i fundit anglez që vdiq në fushën e betejës, jo vetëm duke komanduar trupat e veta, por edhe fizikisht duke u përfshirë në luftime. Kjo vërtetë na flet për një person që ishte i vendosur për ta kapërcyer aftësinë e kufizuar, në ndjekje të karrierës së tij ushtarake dhe politike”.
Ekzaminimi i skeletit dëshmoi se, në fakt, ka bazë ajo që shpesh është hedhur poshtë si propagandë e armikut: “Zbulimi arkeologjik na tregon gjithashtu se ishin fizikisht të sakta përshkrimet e Tudorit për Rikardin III si ‘gungaç’”, konfirmon Dr. Pérez Díez, megjithëse thekson se “Shekspiri e shkroi një personazh imagjinar, i cili gjithashtu është me aftësi të kufizuara, por personaliteti keqdashës i të cilit mund të mos ketë asnjë lidhje me Rikardin e vërtetë”.
Koncepti i shfaqjes, për aftësinë e kufizuar si shenjë e jashtme e së keqes së brendshme, është shumë problematik për audiencën moderne. Nga monologu i hapjes Rikardi paraqitet se kërkon pushtet, sepse aftësia e kufizuar në kohë paqeje e izolon nga oborri mbretëror i vëllait të vet – ai “nuk është i formuar për zhdërvjelltësi”. Pamja e tij është fyer vazhdimisht nga personazhet tjera, nga të gjithë, që nga nëna e deri te gruaja e ardhshme, duke nënkuptuar se pamja e bënte djallëzor, një “gungaç të deformimit të ndyrë”.