Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha sot se hetimi që Belgjika po kryen për korrupsionin e dyshuar në Parlamentin Evropian është “shumë shqetësues”.
“Sigurisht që lajmet janë shumë shqetësuese. Ne po përballemi me disa ngjarje, disa fakte që sigurisht më shqetësojnë mua si ish-president i Parlamentit Evropian”, tha Borrell pas mbërritjes në takimin e ministrave të punëve të jashtme të BE-së.
Gjyqësori belg kreu disa kontrolle të premten si pjesë e një hetimi të hapur në mes të korrikut të këtij viti për një organizatë të dyshuar kriminale që depërtoi në zemrën e Parlamentit Evropian dhe dyshohet për ndërhyrje në politikën e sindikatave dhe korrupsion përmes Katarit.
Zyra e Prokurorisë Federale njoftoi se janë kryer 16 kontrolle në disa komuna të Brukselit dhe se kontrollet janë kryer “si pjesë e një hetimi të gjerë për aktet e dyshuara të organizimit kriminal, korrupsionit dhe pastrimit të parave”.