ALMAKOS.CH Kulturë SKËNDER RUSI: SIMFONIA E TAKAVE
Kulturë Më të lexuara Top Lajm Zvicër

SKËNDER RUSI: SIMFONIA E TAKAVE

Simfonia e takave, poezi nga Skënder Rusi

Ai ishte një regjistrues i marrë,
S’kishte zemër në gjoks, kishte disqe!
Jetonte brenda në një kitarë,
Atje e desh dhe varrin kur të vdiste!

Ia dha vetë atë formë sobalkës së tij,
Se atje do flinte me Bet’hovenin e madh!
Se atje do ish dhe zoti Paganin,
Edhe zoti Shubert, edhe zoti Moxart!

Kush tha se këta ishin të vdekur!?
Ai fliste me ta, qeshte, pëshpëriste!
Brenda kitarës së tij vetëm e shoqja,
E urdhëruar ishte të mos fliste!

Ai bëhej xhind kur ajo lante pjatat,
Kur kërcitja e tyre i futej nëpër disqe!
Ai i ulërinte kur ia dëgjonte takat,
Pale kur padashur, ndonjëherë, teshtinte!

Por erdhi një ditë dhe ajo iku në qiell,
Kitara krisi, muret e saj u çanë.
Telat e saj ranë mbi Bet’hovenin,
Mbi Moxart e Shubert, mbi të gjithë ranë.

Tani ai vë veshin, jo për të dëgjuar tinguj,
Po për t’u çmallur me zhurmën e pjatave!
Bet’hoveni? E ç’është Bet’hoveni,
Para simfonisë së ëmbël të takave!?

ObserverKult

Exit mobile version