Kërshëria e Umberto Ekos (1932 -2016) nuk njihte kufij: shkrimtar, kritik letrar, filozof dhe semiolog, ai përpiqej të “shihte kuptimin atje ku dikush do të tundohej të shihte vetëm fakte”. Tejet pjellor, ai la pas një punë thelbësore, veçse famën ndërkombëtare e fitoi me romanin e vitit 1980 “Emri i trëndafilit”, suksesi i të cilit nuk u përsërit me veprat e mëpasme ose me vepra të tjera. Romani u shit më shumë se 10 milionë kopje në 30 gjuhë.
Me ecejaket midis të kaluarës dhe së tashmes, fabulës dhe analizës, Umberto Eko kishte fituar lirinë e madhe, të cilën ai përpiqej ta ndante. Eko nuk kishte optimizmin e filozofëve të Iluminizmit, ishte i interesuar për mijëra mënyra ku ndërthureshin gënjeshtra, e vërteta dhe e besueshmja, për të vendosur të vërtetën mirëfilli në njërën anë dhe gjithë “të keqen” në anën tjetër.
Humori, ironia e tij, e pengonin që të “adhuronte” plotësisht këtë apo atë vizion të botës, por gjithsesi besonte se “kultura” ishte një “dritë”, një forcë, një forcë jete, një fuqi e gëzueshme për të ekzistuar, siç do të thoshte Spinoza. Asgjë nuk ishte e huaj për të, ai ishte i interesuar për gjithçka, për risinë shkencore, mendimin antik, romanet e stacioneve, traktatet politike, faktet e ndryshme, me atë gjeninë që gjithmonë ishte i aftë të skiconte shtigjet e së ardhmes që hapeshin për shoqëritë, duke parë në të kaluarën: ai ishte një nga intelektualët e parë që kuptoi se çfarë pasurie të jashtëzakonshme të diturisë mund të sillte interneti, dhe çfarë rreziqesh mbarte ai.
Eko është përpjekur të interpretojë kulturat përmes shenjave dhe simboleve të tyre dhe analizon gjithçka: gjuhë, ikona fetare, pankarta, veshje, partitura muzikore dhe karikaturat. Themeloi dhe zhvilloi një nga qasjet më të rëndësishme të semiotikës bashkëkohore, e përmendur përgjithësisht si semiotikë interpretuese. Ai botoi më shumë se 20 libra.