Ka ardhur pamja e parë nga teleskopi hapësinor më i madh dhe më i fuqishëm në botë “James Webb” pas së cilës gjë pritet të ndryshojë mënyra se si njerëzit e shohin universin.
Dhe sipas CNN, ka qenë presidenti amerikan Joe Biden ai që ka publikuar një nga imazhet e para të Webb-it, që vlerësohet pamja më e thellë e universit e kapur ndonjëherë.
Imazhi tregon SMACS 0723, ku një grup masiv grupimesh galaktikash veprojnë si një “xham zmadhues” për objektet pas tyre.
Prezantimi u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë gjatë një ngjarjeje me administratorin e NASA-s, Bill Nelson.
“Është imazhi më i thellë i universit tonë që është marrë ndonjëherë”, citohet të ketë thënë Nelson.
Siç vë në pah tutje CNN, pjesa tjetër e imazheve me ngjyra me rezolucion të lartë do të bëjnë debutimin e tyre të martën, më 12 korrik.
Observatori hapësinor, i cili u nis në dhjetor, do të jetë në gjendje të shikojë brenda atmosferave të ekzoplaneteve dhe të vëzhgojë disa nga galaktikat e para të krijuara pas fillimit të universit duke i parë ato përmes dritës infra të kuqe, e cila është e padukshme për syrin e njeriut.
Publikimi i parë i imazhit thekson aftësitë shkencore të Webb-it dhe instrumenteve shkencore për të prodhuar imazhe spektakolare.